Diplomacia ushtarake kineze në kuadër të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë: Një trajtesë nga arkivat shqiptare
In: Studime historike, Heft 1
Ky punim synon të analizojë raportet diplomatike në fushën ushtarake mes Shqipërisë dhe Kinës nga viti 1963 deri në vitin 1975. Periudha kohore e zgjedhur për analizë përkon me momentin e intensifikimit të marrëdhënieve ushtarake e shkon deri në bjerrjen e tyre, pa ndonjë fërkim dhe demonstrim force siç ndodhi me Bashkimin Sovjetik.Teza qendrore e këtij punimi është se marrëdhëniet ushtarake Shqipëri-Kinë ishin marrëdhënie të pastra interesi ekonomik dhe ideologjik, pa pika takimi në parime dhe doktrina ushtarake. Si të tilla, ato kushtëzuan tjetërsimet doktrinore dhe qasjen për rolin e ushtrisë shqiptare në fushën e mbrojtjes. Në mbështetje të kësaj teze, analizohen arsyet politike që përcaktuan një diplomaci ushtarake soft dhe smart nga pala kineze, duke shkurajuar çdo përpjekje shqiptare për një aleancë mirëfilli ushtarake apo iniciativa në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë që binte ndesh me politikën e jashtme të Kinës.Metodologjia e përdorur në këtë punim është një shqyrtim i literaturës historike të autorëve të huaj dhe vendës, që kanë analizuar disa nga aspektet më të rëndësishme politike dhe ekonomike të marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Fokusi në çështjet ushtarake dhe shfrytëzimi i burimeve arkivore të Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura të Shqipërisë është një risi, në raport me punimet e mëparshme që trajtojnë aleancën shqiptaro-kineze.
Ballafaqimi i këtyre dokumenteve me literaturën e përdorur gjykojmë se do të japë një panoramë më të plotë se në ç'raport qëndronin lidhjet ushtarake të Kinës me Shqipërinë në politikën e jashtme të të dyja vendeve, veçanërisht Kinës. Përfundimet bazohen kryesisht në dokumentacionin shqiptar. Analiza e marrëdhënieve ushtarake përfshin raportet e të dyja vendeve duke cekur raportet e secilit prej tyre me Traktatin e Varshavës (TV), organizatë ushtarake dhe politike e vendeve komuniste, kundërshtare e NATO-s. Për ta përmbyllur, simbioza ushtarako - politike e Kinës dhe e Shqipërisë në përballje me Bashkimin Sovjetik, është një pazëll interesant idesh dhe mesazesh që vlejnë të deshifrohen në kuadër të studimit të historisë së Luftës së Ftohtë brenda vetë Kampit Komunist.